Vlora pa ujë prej 4 ditësh, defekt i rëndë në linjën kryesore, qytetarët dalin në protestë
Një defekt në rrjetin e ujit të pijshëm ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej 4 ditësh.
Situata ka krijuar shqetësim të madh te banorët, të cilët janë detyruar t’u drejtohen burimeve publike të ujit për të siguruar nevojat minimale ditore.
“Nga dita e djeshme realizuam një zgjidhje e cila dha sërisht problem. Pati një furnizim të shkurtër për zonën e Lungomares dhe zonën e bregdetit. Qyteti sërisht vuan furnizimin me ujë, avaria është shumë serioze, shumë e rëndë, e cila do kohën e vetë. Mendojmë se në orën 5-6 mbazdite do filloj furnizimi, duke ardhur sërisht nga stacionet e prodhimit drejt Lungomares dhe më pas ti japim një zgjidhje depos së qytetit”, është shprehur një punonjës i Ujësjellësit të Kanalizimeve në Vlorë.
Ndërkohë që thirrjes për të dalë në një protestë gjatë ditës së djeshme i janë përgjigjur dhjetëra qytetarë vlonjatë. Ata janë mbledhur, për të shprehur revoltën e tyre ndaj pushtetit lokal dhe qendror që u ka lënë pa ujë prej ditësh, përpara Teatrit Petro Marko. Qytetarët e shumtë shkuan pikërisht aty pasi bashkia po organizonte një festë të fundivitit në ambientet e teatrit për punonjësit e saj.
“Duam Ujë”, ishte thirrja e tyre. Ndërkohë që u tensionuan edhe me policinë që mbronte ambientet ku ishte mbledhur bashkia të festonte.
Me dhjetëra qytetarë shihen çdo ditë në radhë, duke pritur njëri pas tjetrit për të mbushur bidonë dhe enë me ujë, pasi në banesat e tyre mungon furnizimi. Sipas tyre, mungesa e ujit po vështirëson jetesën e përditshme, sidomos për familjet me fëmijë dhe të moshuar.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për afatin e riparimit të defektit, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Situata mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.